Main Article Content
Abstrakti
Një ndër personalitetet e shumta të humanizmit gjerman, që kanë shkruar për Skënderbeun ose që e përmendin atë nëpër veprat e tyre është edhe Johanes Kuspiniani (ose Johan Shpishajmer) (Johannes Cuspinian alias Johann Spießheimer). Kush ishte Johanes Kuspinian? Kuspiniani u lind në vitin 1473 në Shvainfurt të Gjermanisë, porse data e saktë e lindjes së tij nuk dihet. Ai ishte humanist, mjek, diplomat, historian dhe poet. Studioi në Laipcig dhe Vyrcburg dhe në vitin 1492 erdhi në Vjenë, ku gjatë ceremonisë mortore të Frederikut të III-të u kurorëzua si “poeta laureatus” nga Maksimiliani i I-rë. Si student dhe më vonë si profesor universiteti ai pati kontakte me figura të ndryshme të humanizmit dhe u influencua nga kjo lëvizje që ishte përhapur nëpër universitetet evropiane të asaj kohe. Më 13 prill 1499 u promovua “Doktor i Mjekësisë” dhe u emërua profesor në Universitetin e Vjenës dhe më pas rektor i universitetit, pasi fakulteti i mjekësisë e kishte propozuar njëzëri për këtë post. Pas vdekjes së Konrad Celtis* (më 4 shkurt 1508), Kuspiniani mori përsipër “Katedrën e Retorikës dhe të Poetikës” dhe për këtë kohë ai mund të cilësohet si humanisti më i shquar i Vjenës. Që prej vitit 1510 u dërgua vazhdimisht në Poloni dhe Hungari me shërbime diplomatike (si orator) nga oborri perandorak dhe nëpërmjet kësaj veprimtarie diplomatike u bë i mundur edhe “Kongresi i Vjenës” i vitit 1515, nën perandorin Maksimilian I., mbretin Sigismund të Hungarisë dhe Vladislavit të Polonisë, ky kongres përfundoi më 28 korrik 1515, dhe më pas Kuspiniani qe edhe prefekt i Vjenës. Merita të mëdha ai mori edhe si zbulues dhe botues veprash burimore historike klasike dhe mesjetare. Kuspiniani vdiq më 19. 4. 1529 në Vjenë, nga një sëmundjeje akute, në moshën 56 vjeçare. Varri i tij gjendet brenda kishës katedrale të Shën Stefanit (Stephansdom) në Vjenë.
