Main Article Content
Abstrakti
Edhe pse Mbretëria e Arbërisë u shpall zyrtarisht pikërisht 750 vjet
më parë, më 21 shkurt 1272, rëndësia e saj e vërtetë filloi të vihej në
pah në dekadën e dytë të shek. XIV, shumë kohë pasi trupi fizik i
mbretit të saj kishte vdekur. Trupi tjetër, ai politik i Mbretërisë së
Arbërisë, u përdor nga Selia e Shenjtë për të krijuar një union të të
gjitha palëve të interesuara katolike në Ballkanin Perëndimor, për të
krijuar një kështjellë politike dhe religjioze në Ballkan, e cila nuk do
të lejonte ritin lindor të merrte në dorë të gjithë Ballkanin. Ky union u
bë akoma më organik dhe jetëgjatë, kur shqiptarët e kuptuan atë si
një shprehje të identitetit të tyre dhe duke kombinuar vullnetin e tyre
për të qenë të lirë nga mbretërit serbë me dëshirën për t’u njohur si
një pushtet politik i pavarur, ata e përqafuan idenë për ta parë veten
si përfaqësues të Mbretërisë së Arbërisë në arenën ndërkombëtare
politike dhe religjioze të asaj kohe.
