Main Article Content
Abstrakti
Heqja e mandatit, arrestimi, dënimi dhe ekzekutimi i një grupi
deputetësh të Kuvendit Popullor në vitin 1947, vetëm një vit pasi ky
kishte marrë mandatin për të ushtruar veprimtarinë e tij, është një nga
ngjarjet më tronditëse të historisë së komunizmit në Shqipëri. Ajo
dëshmoi vullnetin e drejtuesve më të lartë të PKSH-së për të mos lejuar
asnjë hapësirë lirie në vend. Si e tillë është një nga gurët kilometrikë në
procesin e instalimit të diktaturës së proletariatit. Shumë është folur dhe
shkruar për këtë ngjarje, por ende nuk mund të thuash se historia e tyre e
trishtë është zbardhur plotësisht. Qëllimi i këtij artikulli është të hedhë
dritë mbi rrugëtimin e këtyre personaliteteve, që nga përfshirja e tyre në
listat e përfaqësuesve të Frontit Demokratik në Asamblenë Kushtetuese,
deri në dënimin e tyre. Ai, gjithashtu, do të përpiqet të shpjegojë
kontekstin historik të brendshëm dhe të jashtëm që ndikoi në arrestimin
dhe dënimin e deputetëve të Kuvendit Popullor.
