Main Article Content
Abstrakti
Shqipëria dhe Italia dolën nga Lufta e Dytë Botërore me status ndërkombëtar të paqartë. Shqipëria kishte qenë një prej viktimave të para të Boshtit. Rezistenca e shqiptarëve kundër ushtrive të Boshtit ishte njohur nga Aleatët e Kombeve të Bashkuara, por mungesa e një qeverie në mërgim dhe mosnjohja ndërkombëtare e qeverisë provizore të dalë nga mbledhja II e Këshillit Nacionalçlirimtar në Berat nuk ishte një lajm i mirë për vijimësinë e shtetit shqiptar. Italia, nga ana tjetër, kishte qenë një nga shtetet e Boshtit, por angazhimi i italianëve gjatë viteve 1943-1944 në rezistencën kundër Gjermanisë së Hitlerit, i jepte në përfundim të luftës statusin e një vendi të mundur, për të cilin aleatët, veçanërisht ata perëndimorë ishin të gatshëm të bënin disa lëshime. E kontrolluar nga aleatët në shumë aspekte të politikës së saj të jashtme, Italia e pasluftës po përpiqej të rigjente vendin e saj në konfiguracionin gjeostrategjik europian. Vitet që artikulli merr në studim janë shumë të rëndësishme për të dyja vendet në ravijëzimin e qëndrimeve dhe politikave të tyre kundrejt njëra-tjetrës. Qëllimi i artikullit është të analizojë rrugëtimin e të dyja shteteve në përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike në një botë të dalë nga një konflikt i armatosur, që po ecte me shpejtësi drejt polarizimit ideologjik. Ai synon të argumentojë se si pozicionimi i këtyre dy shteteve në të dy krahët opozitarë të Luftës së Ftohtë do të kondiciononte marrëdhëniet ndërmjet tyre.
