Main Article Content
Abstrakti
Projektet e popullsive nën sundimin osman për çlirim nuk mund të shihen të shkëputura nga masat e vetë pushtetit për t’u mbrojtur nga revoltat dhe kryengritjet e ndryshme. Për osmanët, ashtu sikurse për çdo pushtet politik, vetëruajtja dhe vazhdimësia ishte shqetësimi kryesor. Edhe përpjekjet që minonin stabilitetin e këtij pushteti trajtoheshin me përparësinë më të madhe. Sfida ndaj pushtetit herë vinte nga brenda vetë shtetit, dhe herë të tjera brenda pushtetit osman. Në këtë aspekt mund të flitet për kryengritje kur kundërshtia ndaj pushtetit vinte nga zonat dhe popullsitë e ndryshme të shtetit osman dhe për “fitne” kur sfida zanafillonte nga aktorët e shtresës së pushtetarëve. Kufiri mes këtyre dy shprehjeve të kundërshtisë politike nuk ishte i prerë qartë. Për shembull, tërheqja në malet e Moldavisë e kryekomandantit të ushtrisë osmane shqiptarit Ferhat Pasha në krye të 4 mijë shqiptarëve, kur merr vesh se ishte dënuar me vdekje është e vështirë të interpretohet si kryengritje.1 Ky cikël ndërkëmbimi mes rebelimit apo fitnes dhe qetësisë pasqyrohet në kronikat osmane në të cilat fitneja konsiderohet si një nga krimet më të urryera.
