Main Article Content
Abstrakti
Shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në dimrin e viteve 1877-1878 e më pas është një fakt i njohur. Qarqet drejtuese të Beogradit gjatë dhe pas Luftës së Dytë Serbo-Osmane që u zhvillua në periudhën 13 dhjetor 1877 - 25 shkurt 1878 (në të njëjtën kohë me përfundimin e Luftës Ruso-Osmane), nxitën shpërnguljen me dhunë të dhjetëra mijë shqiptarëve, të cilët u larguan nga qindra fshatra të Sanxhakut të Nishit për të mos u kthyer më kurrë në shtëpitë dhe pronat e tyre. Edhe pse faktori ndërkombëtar apo Fuqitë e Mëdha të kohës të mbledhura në Berlin në Kongresin e njohur, vendosën respektimin e të drejtave të këtyre refugjatëve të pafajshëm, çka u sanksionua edhe në marrëveshjet midis Stambollit dhe Beogradit, asnjë nuk u korrigjua më pas dhe një territor prej 10.972 km2, i populluar masivisht prej shqiptarëve në zonën veriore dhe perëndimore të tij, u spastrua etnikisht përmes zbatimit të një politike zyrtare të institucionalizuar në çdo instancë. Janë të njohura urdhëresa si ajo e Komandës Supreme të ushtrisë serbe, që kërkonte dhe nxiste: “Sa më shumë shqiptarë të shpërngulni, aq më të mëdha do të jenë shërbimet ndaj atdheut…” etj.
