Main Article Content
Abstrakti
Dilema më se njëzetvjeçare për ditën e çlirimit të Shqipërisë në tryezën e historianëve. Ditëçlirimi si kohë historike dhe ditëçlirimi si simbol. Rikthimi i sotëm në çastet kur nazistët pushtues lëshuan Shkodrën, nevojë për përpikëri historiografike apo alibi për të rrëzuar simbolin? Komente mbi të dhëna të njohura dhe njoftime për të dhëna të panjohura.
Prej më se njëzet vitesh ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazifashist dy kampet politike të vendit e përkujtojnë të ndarë nga njëri-tjetri. Të majtët festojnë më 29 nëntor, ndërsa të djathtët një ditë më parë, më 28. Për të majtët kjo është një ditë simbol, për të djathtët, megjithëse vlerësojnë pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftë, 29 nëntori është dita e ripushtimit komunist dhe, për më tepër, festë kombëtare e ish-Jugosllavisë federative. Për ta do të ishte më e denjë që çlirimi i vendit të kujtohej në Ditën Kombëtare të Pavarësisë.
