Main Article Content
Abstrakti
Në kreshtën e një mali ndodhej Pulti (Pulatum ose Polletum), qytet shumë i
vjetër, ndoshta aty ku gjendej qyteti Ptolemaika (Aequum) ose sigurisht jo larg
tij. Ishte larg prej Shkodre, nga Veriu, rreth 30 mijë hapa. Nga luftërat e
shpeshta dhe sulmet e barbarëve, të cilët e shkretuan atë krahinë, ky qytet u
rrënua prej themelesh dhe shenjat e tij duken fare pak ose aspak. Që në shek. IX
ishte qytet peshkopal, siç konstatohet nga Koncili Delmitan, me vendim të të
cilit dioqeza e Pultit qe përfshirë në krahinën dhe Mitropolinë e Dioklesë dhe
mbante juridiksionin dhe titullin peshkopal. Kjo dioqezë është e hapur prej
Perëndimi në Lindje pesë ditë udhë dhe prej Veriut në Jug tri ditë udhë. Lumi
Valbonë e ndan nga Serbia; Drini e ndan nga dioqeza e Sapës, malet Biskav e
Kalogjer nga dioqeza e sotshme e Shkodrës. Pultin e ndan në dy pjesë ky mal
më i lartë se të tjerët, i quajtur Ndermajë. Pjesa këndej merr nga jugu dhe ka
pesë katunde ose famulli kryesore, që në gjuhën e vendasve quhen Shalë,
Shoshë, Kir, Plan dhe Gjan.
