Main Article Content
Abstrakti
Përdorimi në diskursin publik i veprimtarisë së figurave që kanë
shenjuar periudha të rëndësishme të historisë, është pjesë e qenësishme
në procesin e formësimit të kujtesës kolektive, si dhe atij të ngjizjes së
identitetit dhe krijimit të shtetit kombëtar. Figura e Gjergj Kastriotit-
Skënderbeut, Heroit të vetëm Kombëtar të shqiptarëve është një e tillë,
me ndikim thelbësor në proceset identitare dhe shtetformuese.
Veçanërisht që prej fundit të shek. XIX, janë veprimtarët e Rilindjes
Kombëtare ata, që në kuadrin e procesit të inxhinierisë identitare e
mitizuan figurën e Skënderbeut, duke u përpjekur të rikrijojnë kujtesën
kolektive veçanërisht mbi luftërat e tij kundër osmanëve, me synimin e
qartë dykahësh, të formësimit dhe rritjes së vetëdijes kombëtare dhe të
pasqyrimit të kontributit mbrojtës që shqiptarët i kishin dhënë qytetërimit
evropian. Ky kontribut, veçanërisht kur i drejtohej opinionit ndërkombëtar,
nënkuptonte edhe procesin e kundërt, borxhin që Evropa do të
duhej t’i kthente shqiptarëve, duke i ndihmuar tanimë në procesin e
mëvetësisë nga Perandoria Osmane.
