Main Article Content
Abstrakti
Vite të shkuara, kur drejtoja Institutin e Historisë, e konsiderova përparësi në punën time përzgjedhjen e studentëve të sapodiplomuar, të aftë e të pasionuar, që do t’i bashkoheshin grupit të studiuesve në Institut. Kam pasur atë kohë takime me pedagogë të degës së Historisë të Universitetit të Tiranës, kam qenë e pranishme në provime e në shumë mbrojtje diplomash. Me atë rast njoha dhe studenten Sonila Boçi, e cila në një sallë të katit të dytë të Fakultetit të Historisë e Filologjisë, duke ligjëruar për tezën që përmbyllte studimet e saj universitare, përcillte te dëgjuesi brishtësi dhe qartësi njëherësh. Kjo ishte ndjesia ime e parë, e cila u plotësua më tej pas bisedave të drejtpërdrejta me Sonilën dhe me mësimdhënësit e saj. Përfundimisht, në shtator të vitit 2001, zuri vend në Departamentin e Historisë së Pasluftës të Shtetit Shqiptar, në njërën nga tryezat që deri atëherë e kishte përdorur një studiues i sapodalë në pension.
