Main Article Content
Abstrakti
Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën një çast kulmor të historisë së shqiptarëve, si e tillë trajtimi i saj ka gjetur vend të gjerë në historiografinë shqiptare dhe jo rrallë edhe në atë të huaj. Natyrshëm punimet e deritanishme, në pjesën më të madhe të tyre, kanë shfrytëzuar burime arkivore osmane, të shteteve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha europiane. Në të vërtetë kjo nuk mund të quhet kurrësesi një dobësi, pasi pikërisht këto shtete kanë qenë të interesuara për çështjen shqiptare. Megjithatë jemi të mendimit që për të kuptuar më mirë zhvillimet e ngjarjeve në atë kohë në trevat shqiptare, si dhe për të rrokur në mënyrë më të plotë arsyet e politikës së Koncertit Europian ndaj Çështjes Shqiptare duhen shfrytëzuar edhe burime arkivore nga fuqi jo të interesuara ndaj problemit shqiptar. Me vlerë paraqiten veçanërisht burimet arkivore amerikane. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për nga vetë largësia prej Europës dhe politikës së jashtme që ato ndiqnin, ishin krejtësisht të shkëputura dhe të painteresuara ndaj asaj çka ngjante në Europë. Për këtë arsye, burimet arkivore amerikane paraqesin mjaft interes pasi ato, në krahasim me burimet arkivore europiane, janë më të prirura për të qenë objektive. Veç kësaj, qëndrimi moralist që mbanin amerikanët ndaj zhvillimeve ndërkombëtare na ndihmon më tej për të kuptuar politikën e Fuqive të Mëdha të Kontinentit të Vjetër dhe raportin që qëndronte mes tyre dhe lëvizjeve kombëtare në Europë.
