Main Article Content
Abstrakti
Kjo sprovë argumenton se në vitin 1981 u shfaq një tension ndërmjet
ligjërimit për konsum publik të autoriteteve komuniste shqiptare dhe
përllogaritjeve të tyre gjeopolitike. Për Enver Hoxhën dhe
bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Jugosllavia përfaqësonte një shtet
tampon ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të Traktatit të Varshavës. Si
e tillë, ekzistenca e Jugosllavisë nuk lejonte një pushtim potencial të
Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik dhe nga aleatët e tij, i cili do të
shkaktonte ndryshimin e udhëheqjes shqiptare. Nga ana tjetër, kupola
e regjimit komunist shqiptar, nuk mund të braktiste publikisht
kosovarët të ngritur në protesta. Rrjedha e ngjarjeve dhe sidomos
reagimi i autoriteteve të Republikës së Serbisë e zgjidhën tensionin
ndërmjet nacionalizmit dhe realpolitikës. Gjatë vitit 1981, Enver
Hoxha arriti në përfundimin se serbët kishin hyrë në aleancë me
Moskën. Sipas udhëheqësit komunist shqiptar, nacionalizmi serb ishte
shndërruar në një vjegë të politikës sovjetike në Ballkan. Nga ky
moment, Hoxha mbështeti kërkesat e demonstruesve në Kosovë për
shndërrimin e krahinës autonome, në një republikë të shtatë të
Jugosllavisë, me qëllim që të mos lejonte forcimin e klanit serb
brenda federatës dhe kështu të pengonte rritjen e ndikimit sovjetik
afër kufijve të Shqipërisë.
