Main Article Content
Abstrakti
Lufta ruso-turke dhe shpartallimi i ushtrive osmane nga ana e kundërshtares së saj cariste u ndoq me mjaft vëmendje nga shtypi amerikan. Në të vërtetë, pavarësisht faktit se Amerika e kohës zbatonte me përpikmëri doktrinën Monro, shtypi dhe opinioni publik i përtej Atlantikut nuk qëndronte shpërfillës karshi zhvillimeve në botën e vjetër. Përkundrazi, sikurse del nga çdo lloj vëzhgimi i shtypit amerikan të kohës, ai i kushtonte një vëmendje të posaçme zhvillimeve ekonomike, politike, kulturore dhe shoqërore në Europë. Në fakt, sikurse do të shkruante një historian francez në fund të shekullit XIX, “Kuptimi i Çështjes Lindore”, pjesë e të cilit ishte edhe konflikti ruso-turk “duhej të ishte më i gjerë.” Sipas tij “të gjitha problemet politike (dhe shoqërore) të kohës sonë nuk shfaqen më si çështje europiane, por si çështje tërësore globale, në të cilat Pekini, Kejp Tauni dhe Nju Jorku përfshihen po aq sa edhe Parisi, Londra dhe Berlini.” Ai theksonte se “ne jemi të detyruar t’i trajtojmë problemet politike sipas kontributit të tyre në zhvillimin global.” Ishte pikërisht koha kur Shtetet e Bashkuara po pësonin një zhvillim të vrullshëm, i cili nuk do të njihte më ndalesa dhe do ta kthente vendin e madh të përtej Atlantikut në ekonominë më të fuqishme të rruzullit.
